400 përfaqësues të industrisë së mikrofinancës, investitorë dhe ekspertë nga 36 vende të botës u bënë bashkë në Melia Durrës, për të marrë pjesë në Konferencën e 28-të Vjetore të Qendrës së Mikrofinancës, me temë “Mikrofinanca në tranzicion: A është misioni në rrezik?”.
Konferenca u organizua për të diskutuar sfidat dhe transformimin e sektorit të mikrofinancës në një kohë kur zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet ekonomike po ndikojnë ndjeshëm industrinë financiare.
Kryetarja e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare, Arlinda Muja, u shpreh se ky është viti i dytë që konferenca organizohet në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një vlerësim për zhvillimin që ka njohur sektori në vend gjatë tre dekadave të fundit.
“Mikrofinanca në Shqipëri ka një zhvillim thelbësor, prej 30 vitesh ndihmon binzeset e vogla, individët për një mirëqenie më të mirë. Sot mikrofinanca është lideri i zhvillimit digjital në Shqipëri dhe po ndihmon jo vetëm në edukimin financiar, por edhe atë digjital shqiptar. Roli i mikrofinancës po njihet gjithnjë e më tepër nga komisioni europian dhe direktivat që po përafrohen do të kenë në fokus edhe mikronfinancën sepse roli i saj në Shqipëri është i rëndësishëm sepse përfaqësojmë 25% të kërkesave për Shqipëri”, Arlinda Muja, kryetarja e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare.
Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj u ndal te rregullimet që sektori i mikrofinancës ka kaluar në vitet e fundit, duke shtuar se ndryshime të tjera ligjore priten në vijim.
“Produktet duhet të jenë të përshtatura me kategoritë e familjarëve dhe bizneseve që janë me të ardhura të ulëta. Ndryshimet rregullative nuk kanë përfunduar, do të ketë të tjera që do të kenë në qendër të tyre një ndarje të qartë mes aktivitetit të kreditimit nga aktivitetit të menaxhimit të kredive me probleme, që të mos kemi keqpërdorim të produkteve dhe mungesë transparence. Fokusi është të mbrojtja konsumatore, por pa harruar parimin që nëse je klient, ke edhe detyrimin financiar”, Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë.
Konferenca përfundoi me thirrjen që sektori i mikrofinancës të ruajë balancën mes objektivave tregtare dhe misionit social, duke vijuar të mbështesë shtresat dhe bizneset që kanë më shumë nevojë për akses financiar.
/vizionplus.tv





