Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryeministrja italiane Gorgia Meloni ka deklaruar se “Deklarata e Kishinaut”, e miratuar nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës, njeh të drejtën e vendeve për të zbatuar zgjidhje të reja për menaxhimin e emigracionit, përfshirë qendrat e riatdhesimit në vende të treta sipas modelit Itali-Shqipëri.
Meloni u shpreh se ky është fryti i një rruge që Italia ka kontribuar me guxim dhe vendosmëri.
“Ajo që vetëm një vit më parë konsiderohej e diskutueshme, sot është kthyer në një parim të përbashkët për 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës dhe demonstron edhe një herë, se qasja italiane ndaj një menaxhimi të rregullt të flukseve migratore, e ndjekur me seriozitet dhe qëndrueshmëri nga Qeveria jonë, tani është bërë edhe qasja e Evropës”, tha Meloni.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e qendrave të emigrantëve në territorin shqiptar shkaktoi debat politik në vendin fqinj, por edhe më gjerë.
Më herët kryeministri Rama ka deklaruar se marrëveshja do të qëndrojë në fuqi, për aq kohë sa qeveria italiane e shikon të arsyeshme.





