Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e dekorimit të Tedi Papavramit me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në emër të Presidentit të Republikës.
Rama deklaroi fjalët më pozitive për Papavramin, duke thënë se ai është një krijues, artist, aktor dhe mbi të gjitha njeri i mrekullueshëm.
Rama: Je një bashkëkohës, që është privilegj për të gjithë ne që të kemi. Në këtë vend janë dhënë 30 vite e kusur tituj e dekorata për dasma e koncerte, ndonjëherë dhe pa arsye. Të jesh i sigurt se kjo e jotja nuk është ajo histori. Ti jeton në Francë prej shumë vitesh, e di se çfarë do të thotë të vishesh me kalorësinë e Republikës Franceze. Këtë kalorësi e ke merituar. Shqipëria nuk e kishte pak kohë më parë këtë Urdhër Kalorësie, që ne e rilindëm si një urdhër suprem 100-vjeçar të Shqiponjës dhe ishte dëshira e detyrimi im dhe i presidentit që ti të renditeshe ndër të parët e kalorësve të këtij urdhri për virtuozitetin tënd dhe larminë pjellore të angazhimit tënd intelektual, shoqëror maksimalisht dinjitoz. Medaljet tona janë një proces shumë serioz balance. Ti je një prani bujare të qenit në radhë të parë një njeri shembullor, që do të ishte gjëja që do të donte ta prekte çdokush që ëndërron madhështinë në skenë. Madhështia e ngre dhe më lart njezërllëkun tënd. Jam shumë krenar që i vendos Tedi Papavramit yllin e Urdhrit Suprem. Ky Urdhër është për Tedin aktor, Tedin njeri model për shoqërinë shqiptare dhe më gjerë, për Tedin fenomen, për Tedin në shtegtim dhe gjithmonë mes nesh. Tedi është një muzikant-njeri, nuk është një njeri me instrument. Bahu thotë se madhështia nuk qëndron tek objekti, por tek fryma. Kur Tedi e ka instrumentin në krahë, instrumenti luan vetë.
Unë e konsideroj veten me fat që të njoh. Të kam parë duke u rritur këmbëngulës dhe i paepur. Jeta jote ka qenë këmbëngulje dhe vetëm këmbëngulje. Ti kishe një dashuri të përsosur si një marrëzi ndaj artit. Ylli që merr sot është një yll për shembullin më shumë sesa për karrierën, është një yll që tregon se mund të largohesh nga vendi, por vendi yt nuk të harron, mund të bëhesh një yll për botën, por mund të ndriçosh dhe vendin tënd. Ylli që merr ti sot është yll që ndriçon dhe për ata që historia i lë në prapaskenë. Më lejoni, që me urdhër të Presidentit, t’ju dekoroj Oficer me Urdhrin Suprem të Shqiponjës.





