Sfida e radhës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian është mbyllja e kapitujve, proces i cili po përgatitet, edhe pse raporti i IBAR nuk është miratuar ende.
Në takimin periodik të Këshillit të Integrimit, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, bëri me dije se janë kryer përgatitjet teknike për të paktën 10 kapituj.
“Sfida jonë është mbyllja e kapitujve me dinjitet, me cilësi dhe rezultate të pakthyeshme, me Shqipërinë si vend europian. 101 piketa mbyllëse ka marrë sot Shqipëria nga BE. Po përgatitemi teknikisht për mbylljen e të paktën 10 kapitujve të parë. Sa i përket kapitujve për “marrëdhëniet me jashtë”, “kërkimi shkencor” dhe “arsimi”, ne vlerësojmë se Shqipëria i ka kryer të gjitha përgatitjet teknike për mbylljen e tyre, pritet më pas vendimi i BE-së”, tha Dhuka.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi edhe një herë se nuk ka ngecje të procesit pavarësisht pretendimeve të opozitës.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës sesa është sot. Nuk flitet për ngecje, nuk flitet për humbje drejtimi, pasiguri, flitet vetëm për avancim, ritëm, besueshmëri, për një Shqipëri që po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të rrugës europian. Secila palë duhet ta lexojë me përgjegjësi këtë proces. të gjithë bashkë duhet të punojë për ta jetësuar këtë aspiratë historike”, tha Balla.
Sipas përfaqësuesve të qeverisë, aktualisht, Brukseli ka dhënë rekomandimin pozitiv mbi përmbushjen e piketave të ndërmjetme ndërsa diskutimet vijojnë.





