Seanca plenare në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të dy fëmijëve të mitur të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të një ditë më parë në Durrës.
“Engjëjt u prehshin në paqe”, u shpreh zv.kryeparlamentarja, Klodjana Spahiu.
Pas mbajtjes së heshtjes, seanca ka nisur sipas rendit të ditës, me diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, kur kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk la pa përmendur rastin e aksidentit të rëndë.
“Ju në vend në një ditë të ktheheni në njerëz, bëni aktin si ai krimineli dje që shtypi dy ëngjëj dhe ia mbathi e i la aty pa asnjë ndihmë dhe ti duhet të thoshe se ai ishte një njeri i përkëdhelur i pushtetit”, u shpreh Berisha.
Seanca e sotme plenare zhvillohet për diskutime për çështjet apo problematikat e evidentuara nga zgjedhësit pas Javës së Gjelbër.





