“Jam ai që kam qenë gjithmonë. Jam ai Ilir Meta i 2 marsit.”
Me këto fjalë, ish- presidenti Ilir Meta, në dukje i tjetërsuar fizikisht, u përball me togat e zeza të Gjykatës së Posaçme për herë të parë në nisje të procesit ndaj tij themel, brenda kafazit të qelqtë.
Duke bërë shqiponjën dykrenare me duar, ish-kreu i shtetit nuk ngurroi të hedhë akuza ndaj magjistratëve në sallë.
“Kundër gjykatësve te Lana që i urdhëronte Charles McGonigal, që tani është në burg. Nuk jam në pozita të pabarabarta unë, në pozita të pabarabarta janë këta”, tha Meta.
E bashkëpandehur me njeriun që ka mbajtur funksionet më të larta politike në vend, është ish-gruaja e tij, Monika Kryemadhi. Edhe pse dyshohet për të njëjtat vepra penale, ajo gëzon lirinë, ndërsa këtë të hënë çifti i dikurshëm u bë bashkë kundër prokurorit Sotir Kllapi që i ka vënë nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim të ardhurash me dosjet CEZ DIA, Lobingun dhe faturat mjekësore.
Jashtë procesit gjyqësor ajo u tregua e ashpër duke e quajtur procesin një përrallë të montuar.
“Kërkuam nga gjyqtarja që pëveçse të kishim të gjithë ekspertimin e celularëve, sepse çdo gjë është e ndërtuar si një fabul le të themi, për të krijuar një përcetim dhe iluzion optik dhe mendimi në aspektin e mesazheve të caktuara telefonike. Pavarësisht se mesazhet telefonike nuk përbënin asnjë vepër penale, por kërkonin për të krijuar thjeshtë një histori. Edhe në seancë paraprake, gjyqtarja kishte vendosur që prokuroria të më pajiste me këtë material, me ekspertimin e të gjithë telefonit tim, ku bëhet fjalë për të gjitha bisedat e mia, jo vetëm mesazhe të selektuara që organi i akuzës, ka nxjerrë në akuzë, por për të pasur të logjikën e mendimit të bashkëbisedimeve”, tha Kryemadhi.
Avokati, Kujtim Cakrani u shpreh i irrituar për vendimin e gjykatës që ndaloi transmetimin drejtpërdrejt të seancës gjyqësore, një kërkesë kjo e vazhdueshme nga Ilir Meta.
“Bunkerizimi është për të mos dalë arsyet e vërteta të atij rrëmbimi gjeopolitik. Gjyqtarët do mundohen të hermetizojnë një proces që mos të dalin të vërtetat, zero prova, fakt penal, zero mesazh, zero qindarkë, zero pasuri e paligjshme, Meta është i burgosur politik”, tha Cakrani.
Jashtë Gjykatës së Posaçme u panë dhjetra mbështetës të Partisë së Lirisë. Ndërkohë, Seanca e kësaj të hënë nuk mundi të zhvillohej për shkak të mungesës së Fatime Kryemadhit, e pandehur në proces.





