Mbrëmja e nëntë e spektaklit më të ndjekur të momentit, “Ferma VIP 3”, erdhi me një larmishmëri emocionesh, vendimesh të forta dhe zhvillimesh të papritura që ndryshuan rrjedhën e lojës.
Prime-i u hap me një vendim që askush nuk e priste. Ermiona kërkoi në mënyrë të menjëhershme ndërprerjen e rrugëtimit të saj në fermë. Edhe pse eksperienca e saj zgjati më pak se dy javë, fermerja vendosi të tërhiqet nga gara, duke e bërë këtë largim një nga më të papriturit deri më tani.
Largimi i saj u bë pas pas leximit të verdiktit të publikut, ku ajo dhe DJ Bujaka rezultuan më pak të preferuarit e kësaj jave.
Pas këtij zhvillimi, vëmendja u zhvendos te sfida e radhës. DJ Bujaka i cili ishte një nga më pak të votuarit e publikut shkoi në një sfidë me Mozën dhe Ervinin.
Në këtë përballje të fortë, ishte Moza ajo që arriti të siguronte fitoren, duke çuar DJ Bujakën dhe Ervinin në një televotim kokë më kokë. Tashmë, fati i tyre mbetet në dorën e publikut, i cili do të vendosë të hënën se kush do të largohet nga gara.
Ndërkohë, tensionet brenda fermës janë rritur ndjeshëm. Fermerët duken të ndarë qartë në dy kampe rivale, duke e bërë konkurrencën për çmimin e madh më të fortë se kurrë. Shkeljet e vazhdueshme të rregullave kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në fondin e çmimit, i cili ka pësuar një ulje drastike, duke zbritur nga 200 mijë euro në 149 mijë euro.
Një tjetër moment kyç i mbrëmjes ishte surpriza që tronditi jo vetëm Fabjolën, por raportin e saj me Adionin. Vëllai i saj, Fabjoni, hyri papritur në ambientet e fermës, duke shprehur hapur shqetësimin për afrimitetin e saj me fermerin. Me një qëndrim të prerë, ai i kërkoi motrës të largohej nga gara dhe të rishikonte raportin e saj. Përballë këtij presioni familjar, Fabjola vendosi të vijojë rrugëtimin, por duke pranuar të shkëpusë marrëdhënien me Adionin, një vendim që pritet të ndikojë në dinamikat e ardhshme të lojës.
Në një kontrast emocionesh, mbrëmja solli edhe një nga momentet më të ndjera. Rrëfimi i Gresës preku thellë publikun dhe fermerët, duke zbuluar një anë më personale dhe të brishtë të saj. Surpriza nga babai i saj shtoi edhe më shumë emocionin, ndërsa mesazhet dhe këshillat e tij u kthyen në një nga kulmet më njerëzore të kësaj nate.
Mes largimeve, përballjeve, tensioneve dhe emocioneve të forta, mbrëmja e nëntë e “Ferma VIP 3” konfirmoi edhe një herë se loja ka hyrë në një fazë vendimtare, ndaj mos humbisni asnjë moment live 24 orë si dhe në përmbledhjen ditore në Vizion Plus.





