Është zbardhur dinamika e ngjarjes së ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Gurëz, në Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim, ndërsa në kërkim është shpallur edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta mes shtetasit A. T. dhe shtetasit Fation Cobelita, alias Fation Staka, 40 vjeç, banues në fshatin Gorre. Ky i fundit dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të 35-vjeçarit, duke e plagosur në këmbë.
Pas ngjarjes, 35-vjeçari është transportuar në spitalin e Laçit nga shtetasi Renato Marku, 26 vjeç, i cili më pas është larguar nga ambientet e spitalit, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte.
Për këtë arsye, Marku është shpallur në kërkim për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nga veprimet hetimore rezulton gjithashtu se rreth orës 10:20, i plagosuri ka mbërritur në spitalin e Laçit, por mjeku roje nuk ka njoftuar Policinë, duke e dërguar direkt për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Për këtë arsye, mjeku A. I., 58 vjeç, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, Policia vijon punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
/vizionplus.tv





