Ndarja e hartës territoriale nuk duhet të jetë fokusi kryesor i reformës. Këtë qëndrim mban bashkëkryetari socialist i Komisionit të posaçëm Arbjan Mazniku, i cili thekson se bisedimet në Kuvend duhet të kenë parim kryesor rritjen e cilësisë së shërbimeve të bashkive si dhe shtimin e ekspertëve në institucionet vendore.
“Nëse ne fokusohemi vetëm tek ndarja e hartës territoriale, procesi do të ngecë. E rëndësishme për këtë komision së pari duhet të jetë rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve duke nisur nga infrastruktura, mjedisi, pastrimi apo arsimi. Këto per ne duhet të jenë primare. Ndarja territoriale duhet të jenë me tepër diskutim dytësor”, tha Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale.
Por si e shikon mazhoranca qasjen e opozitës, e cila është shprehur se nuk deshiron përsëritje të gabimeve të bëra gjatë diskutimeve në vitin 2014.
“Së bashku me opozitën kemi nisur me takimet në terren. Tashmë ne po njihemi me atë ç’ka vërtet i nevojitet qytetarëve. Nuk mund të fokusohemi tek ndarja e hartës sepse kthehet në një lojë kungulleshkash. Pra pse kaq dhe jo aq. Ne si mazhorancë duam diçka cilësore dhe pse jo në përputhje me standarte e unionit”, u shpreh ai.
Megjithatë, debatet dhe mospjesëmarrja e të djathtëve më herët vonoi procesin, ndërsa për Maznikun, korriku mbetet afat i domosdoshëm.
“Nëse ne nuk kemi një produkt në korrik, atëherë reforma do të shtyhet për në 2031-shin. Më pas, bashkive do ti duhen edhe pesë vite të tjera për tu përshtatur me ligjet e ndryshuara. Pra llogaritet rreth një dakadë vonesë. Këtu tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhjet e vitit tjetër, por edhe për procesin e integrimit, pra vonesa e korrikut do të vononte dhe procesin e integrimit”, deklaroi Mazniku.
Komisioni i reformës ka nisur turin e takimeve në çdo qytet, një tur që do të vijojë deri në fillim të muajit maj. /vizionplus.tv





