Mjekja Afërdita Manaj, e ftuar në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus, ka ngritur shqetësimin për rritjen e infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST), duke theksuar se këto sëmundje po përhapen gjithnjë e më shumë vitet e fundit.
“Sot ato quhen IST, të cilat më pas kalojnë në sëmundje. Vitet e fundit, sidomos pas viteve ’90, është rritur incidenca e tyre,” u shpreh ajo.
Sipas saj, përveç formave klasike si Sifilizi dhe Gonorreja, sot janë përhapur gjerësisht edhe infeksionet virale si HIV, HPV, herpesi dhe hepatitet.
“Janë përhapur shumë infeksionet virale si HIV, Papilloma Virusi (HPV) me tipet e tij onkogjene që shkaktojnë kancer të qafës së mitrës,” tha Manaj.
Ajo konfirmoi gjithashtu rikthimin e sifilizit në vend:
“Po, sifilizi pothuajse u zhduk rreth vitit 1972, por tani ka filluar të përhapet sërish me shifra galopante.”
Mjekja theksoi se një nga infeksionet më të përhapura sot është HPV, duke nënvizuar rrezikun që paraqesin disa tipe të tij.
“HPV-ja është i vetmi infeksion nga i cili kondomi nuk të mbron plotësisht, sepse mund të merret edhe përmes kontaktit ‘skin to skin’,” u shpreh ajo.
Në lidhje me parandalimin, Manaj rekomandoi vaksinimin dhe kontrollet e rregullta:
“Vaksinimi që bëhet në moshën 13-vjeçare të mbron nga tipet më të rrezikshme. Për ata që nuk janë vaksinuar, Pap-testi është thelbësor.”
Ajo ngriti shqetësimin edhe për mungesën e kujdesit tek meshkujt:
“Vajzat janë më të kujdesshme dhe vijnë më shpesh për kontroll. Djemtë vijnë shumë pak dhe në përgjithësi nuk e pëlqejnë kondomin.”
Sipas saj, faktorët kryesorë që ndikojnë në përhapjen e IST-ve janë marrëdhëniet e pambrojtura, fillimi i hershëm i jetës seksuale dhe numri i lartë i partnerëve.
Në fund, mjekja paralajmëroi edhe për pasojat afatgjata:
“Klamidia është një nga shkaqet kryesore të infertilitetit, pasi shkakton infeksione të rrugëve të sipërme dhe mund të dëmtojë rëndë fertilitetin.”
Ajo bëri thirrje për më shumë edukim seksual dhe ndërgjegjësim, duke theksuar se shumë prej këtyre sëmundjeve janë të trajtueshme nëse zbulohen në kohë.
/vizionplus.tv





