Vendi ynë gjatë ditës së sotme do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë një mot me vranësira mesatare deri të dendura, të alternuara me kthjellime të herëpashershme kryesisht në zonat veriore dhe qendrore.
Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut kanë nisur që në orët e para të mëngjesit në pjesën më të madhe të territorit dhe do të vijojnë përgjatë gjithë ditës me intensitet të ulët. Në zonat qendrore dhe lokalisht në jug, reshjet pritet të arrijnë intensitet mesatar, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata afatshkurtra.
Pas mesditës, reshjet do të vijnë në dobësim duke u përqendruar kryesisht në zonat malore, ku do të mbeten të pranishme në formë të lehtë dhe me episode të shkurtra shtrëngatash.
Në zonën e Alpeve dhe në verilindje, në lartësi mbi 1500–1600 metra, priten reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga drejtimi verilindje–veriperëndim me një shpejtësi mesatare prej 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore mund të arrijë deri në 18 m/s. Deti Adriatik dhe Jon do të paraqiten me valëzim të moderuar, nga 2 deri në 3 ballë.
Temperaturat do të luhaten nga 5°C në zonat më të ftohta si Gjirokastra, Peshkopia dhe Bajram Curri, deri në 23°C në Berat. Në qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Fieri dhe Elbasani, temperaturat maksimale pritet të arrijnë rreth 21°C.
/vizionplus.tv





