Spanja ka vendosur të dërgojë fregatën e saj më të avancuar, “Cristóbal Colón”, në Mesdheun Lindor, për të ofruar mbrojtje ndaj Qipros, në kuadër të tensioneve që kanë përshkallëzuar në Lindjen e Mesme gjatë ditëve të fundit.
Fregata spanjolle do të shoqërojë anijen franceze me avionë luftarakë Charles de Gaulle dhe anijet luftarake greke, pas sulmit me dron iranian ndaj bazës britanike në Akrotiri të Qipros.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Spanjës, fregata do të kryejë misione mbrojtjeje dhe kundra-ajrore, si dhe do të ndihmojë në evakuimin e personelit jo ushtarak, në rast nevoje.
Sipas raportimeve të medies spanjolle El País, “Cristóbal Colón”, e cila fillimisht ishte pjesë e operacioneve detare në Detin Baltik, pritet të arrijë pranë bregdetit të Kretës rreth datës 10 mars.
Vendimi i Spanjës vjen ndërsa tensionet rajonale janë rritur, duke përfshirë përfshirjen e forcave ndërkombëtare dhe reagime ndaj sulmeve me dron në Qipro.
Në një deklaratë të mëparshme, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez theksoi se pozicioni i Spanjës është kundër luftës, duke saktësuar se vendi nuk do të ndikohet nga presionet e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur konfliktin të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
/vizionplus.tv





