Arsimi profesional po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e të rinjve, ndërsa modeli dual shihet si një nga format më efikase në përgatitjen për tregun e punës.
Ky sistem ndërthur mësimin teorik në shkollë me praktikën profesionale në biznese. Nansi, nxënëse që ndjek sistemin dual, në shkollën e mesme profesionale “Gjergj Canco”, shprehet se e ka ndihmuar në pozicionimin e saj në tregun e punës.
“Kam patur mundësi të mira pune, tregu është kërkues në këto momente në këtë fushë. Kjo shkollë ka ofruar shumë mundësi dhe bashkëpunon me biznese të ndryshme, ku zhvillojmë praktikat profesionale. Ky hap me sistemin dual ka bërë që të kemi kërkesa për t’u punësuar nga biznese të ndryshme. Nga arsimi dual kam patur mundësi shumë të mira, më ka zhvilluar profesionalisht dhe aktualisht punoj në disa punë të ndryshme”, tha Nansi Janaqi, nxënëse, shkolla “Gjergj Canco”.
Nansi pohon se arsimi dual është kthyer në një urë lidhëse mes shkollës dhe punësimit, ndërsa bizneset përkatëse ofrojnë edhe pagesë minimale për nxënësit.
“Arsimi dual, dhe më saktë profili im multimedia, më ka ndihmuar shumë për të njohur biznese të ndryshme dhe për të punuar në këtë fushë. Do ta vazhdoj arsimin e lartë po në këtë degë dhe do të vijoj njëkohësisht edhe punën. Arsimi profesional jep mundësi shumë të mira, sepse gjithçka është praktike dhe të ndihmon të mësosh më shumë. Në arsimin dual kemi mësim në shkollë dhe praktikë në biznese, ku edhe punojmë edhe mësojmë”, shtoi ajo.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, në vitin shkollor 2025-2026, 16 shkolla në vend ofrojnë arsim dual, nga 10 që ishin një vit më parë. Rreth 400 nxënës të arsimit profesional zhvillojnë 18 orë në javë praktikë pranë bizneseve.





