Policia ka shoqëruar 15 persona pas protestës së banorëve të Rrjollit në Velipojë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në tokat e tyre. Banorët, të cilët thonë se janë pronarë të ligjshëm, folën për mediat para komisariatit të Shkodrës.
“Kthim mbrapa s’ka. Më 1908 më ka lindur babai, e kam shtëpinë ka 118 vjet”, thotë një qytetar duke u përlotur.
“Deri në fund do t’i shkojmë kësaj proteste”, shton një tjetër.
“Shkojmë te toka jonë, na arrestojnë, sikur ne ia kemi zënë tokën atyre, jo ne. Ata nuk e dinë se ne do të vijmë çdo ditë sepse jemi në tokën tonë”, thotë një banor tjetër.
Protesta e banorëve të Rrjollit ka hyrë në ditën e gjashtë.
Projektin për ndërtimin e resortit turstik, banorët e cilësojnë si një “grabitje” të hapur të pronave të tyre dhe paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen. Protesta, sipas banoreve do të vijojë pa afat.
Dy ditë më parë banorët protestuan edhe para Prokurorisë së Posaçme në kryeqytet, duke thënë se disponojnë të gjithë dokumentacionin për të provuar se janë pronarë të ligjshëm.
Banorët e Rrjolit edhe një vit më parë kanë depozituar në SPAK një kallëzim nën dyshimet se janë falsifikuar dokumentet me qëllim ndërtimin e resortit.
Kallëzimi i është dërguar për kompetencë hetimore edhe Prokurorisë së Shkodrës, organ i cili sipas banorëve nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Pikërisht për këtë arsye, të hënën ata do të mbajne protestën e radhës para Prokurorisë në Shkodër.






Nuk kan asnje dokument pronesie.Para se ta publikoni verifikoni faktet.Tani ska ma “toke e xanun”.