Reforma territoriale, e cila do të jetë një nga pikat më të rëndësishme të punës së qeverisë për këtë nuk do të jetë thjesht një ndryshim kufijsh.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha se kjo reformë do të ndërtohet mbi të dhëna konkrete, për të garantuar një qasje sa më të saktë dhe afatgjatë.
“Për reformën territoriale kemi ngritur një komision parlamentar. Procesi do të nisë brenda pak ditësh dhe do të jetë transparent. Nuk duhet ta perceptojmë si një proces që thjesht ndryshon kufijtë. Reforma territoriale duhet të bazohet në të dhëna dhe në eksperiencën që tashmë kemi nga ajo që ka ndodhur në territor”, tha Demo.
Ministri komentoi gjithashtu mungesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në drejtimin e institucionit.
“Roli i kryetarit të bashkisë duhet të ndihet. Bashkia është përpjekur të krijojë kushtet që kjo periudhë sfiduese të kalohet në mënyrë të menaxhueshme, në të mirë të qytetarëve, në mënyrë që shërbimet të mos mungojnë, cilësia e tyre të mos bjerë dhe investimet të vijojnë”, shtoi Demo.
Ndërkohë, 61 bashkitë e vendit do të administrojnë në total rreth 1.2 miliardë euro nga të ardhurat e tyre dhe nga fondet e buxhetit të shtetit, çka rrit përgjegjësinë e pushtetit vendor në investimet publike.
“Përfitimi i bashkive do të jetë rreth 1.2 miliardë euro. Kjo kërkon më shumë përgjegjësi dhe fokus nga bashkitë. Fondi prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilin qeveria ka vendosur ta përdorë për fuqizimin e bashkive në logjistikë dhe infrastrukturë bazë, sidomos në referim të situatave të fundit me përmbytjet, do të jetë një ndihmë e rëndësishme për pushtetin vendor”, tha Ervin Demo.
Ministri paralajmëroi gjithashtu dy nisma të tjera me rëndësi, veçanërisht në aspektin dixhital: ofrimin e shërbimeve lokale online përmes platformës e-Albania, si dhe integrimin e sistemit të menaxhimit të financave AFMIS./vizionplus.tv





