Një zjarr ka rënë në një banesë private në lagjen “Loni Dhamo”. Nën një çati jetonin dy familje, në njërën pjesë pronari i banesës, Rrapush Deliu, dhe në pjesën tjetër një familje e komunitetit rom, e cila e kishte marrë banesën me qira. Flakët e zjarrit kanë nisur nga ambientet e banesës së marrë me qira.
Si pasojë e zjarrit, dy dhoma janë djegur pothuajse tërësisht, ndërsa pjesërisht është dëmtuar edhe banesa ngjitur.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta të zjarrfikëses dhe policisë, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe izolimin e zonës.
Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një furnelë elektrike, ku po ngroheshin gjashtë fëmijë të vegjël, të moshës 1–12 vjeç, të cilët ndodheshin tek gjyshërit e tyre. Për arsye sigurie, energjia elektrike në zonë është ndërprerë për disa minuta.
Si pasojë e tymit, një vajzë 12-vjeçare është dërguar në spital me shenja asfiksie, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas pronarit të banesës, në momentin e rënies së zjarrit ai po shikonte televizor, kur ka vënë re tymin që po vinte nga pjesa tjetër e shtëpisë, ku ndodheshin dhomat e dhëna me qira. Brenda pak minutash, për shkak të materialeve plastike dhe druri, flakët janë përhapur me shpejtësi, por fatmirësisht fëmijët dhe të rriturit kanë arritur të dalin në kohë nga banesa.
Kjo është hera e katërt që bie zjarr në të njëjtën zonë të Lushnjës, ku ndodhen ngjitur këto banesa.





