Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon t’i qëndrojë mendimit se pezullimi i Belinda Ballukut nga posti i ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës nuk cënon punën e institucionit që drejton dhe kjo masë është me natyrë të përkohshme.
Sipas prokurorit Dritan Prençi, ekzekutivi mos ndërhyjë në punët e drejtësisë, duke shtuar se kërkesa e Kryeministrisë për konflikt kompetencash nuk qëndron.
“Kërkesa e kryeministrit nuk paraqet konflikt kompetencash. Nuk mund të ndikohet nga ekzekutivi vendimet e GJKKO.
Masat e sigurimit janë të ankimueshme dhe ekziston një procedurë e plotë ankimi në gjykatën e apelit dhe Gjykatën e Lartë. Pretendimi se pezullimi i zv.kryeminsitrit dhe ministrit të Infrastrukturës ka penguar funksionimin normal të Këshillit të Ministrave ose kompetencat e Kryeministrit, nuk qëndron. Është fakt që masa ndaluese prek vetëm individin dhe nuk ndalon funksionimin e institucionit ashtu siç lejon Kushtetuta për rastet e mungesës së përkohshme të ministrit. Masat e pezullimit kanë natyrë të përkohshme dhe janë të nevojshme për të siguruar vijimin e hetimit penal dhe nuk shkakton pasoja të pariparueshme. Prokuroria e Posaçme i qëndron qëndrimit të saj se kërkesa e kryeministrit në tërësinë e saj nuk duhet të pranohet”, tha prokurori i SPAK.
Sipas SPAK, pala kërkuese nuk legjitimohet si subjekt procedural për të aktivizuar kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë dhe nuk ka provuar ekzistencën e një interesi personal dhe aktual, të shoqëruar me pasoja të pariparueshme apo rrezik konkret nga kryerja e tij./vizionplus.tv





