Ndërsa protestat në Iran vijojnë dhe numri i të vrarëve është mbi 2 mijë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i ka bërë thirrje tubuesve që të vijojnë përpjekjet për të marrë institucionet dhe theksoi se ndihma për ta është duke ardhur.
“Patriotë iranianë, vazhdoni protestoni , merrni nën kontroll institucionet tuaja! Ruani emrat e vrasësve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa të ndalohet vrasja e pakuptimtë e protestuesve. Ndihma është rrugës”, shprehet Trump.
Më herët kreu i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar se çdo vend që bën biznes me Iranin do të përballet me një tarifë prej 25 për qind për çdo tregti me SHBA-të.
“Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25 për qind për të gjithë biznesin që kryhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky urdhër është përfundimtar”, deklaroi Trump.
Tarifat pritet të prekin më së shumti aleatët tregtarë të Iranit që janë Kina, India, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iraku.
Me mbylljen e internetit dhe ndërprerjen e linjave telefonike, situata e demontstratave në Iran është bërë më e vështirë për tu kuptuar. Megjithatë, pamjet e publikuara në internet tregojnë turma të mëdha njerëzish në rrugë dhe përplasje me forcat e sigurisë.
/vizionplus.tv





