Ndërsa u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për tërheqjen e një dokumenti, avokati Maks Haxhia foli para mediave për klientin e tij Ergys Agasi.
Ky i fundit është në kërkim nga SPAK i akuzuar për skemat e manipulimit, jo vetëm përmes dokumenteve, por edhe përmes dhunës të tenderave të AKSHI-t. Por Haxhiaj tha se klienti i tij ndodhet jashtë shtetit për një takim pune.
Sipas tij, Agasi do të vijë në Shqipëri dhe do të paraqitet vetë përpara SPAK-ut.
“Është jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi. Patjetër që do të vetëdorëzohet, kur të kthehet do mbajë qëndrimin për t’u përballur me drejtësinë”, tha Haxhia.
Në lidhje me verërat që kapin vlerën 3 mln euro, apo nëse ka përfituar nga tenderat e AKSHI-t, Haxhiaj tha se kjo çështje po përdoret politikisht.
“Moment që po shfrytëzohet nga politika dhe po shihet Agasi si zv.kryeministër. Kontrollet në banesë dhe bërja publike e tyre në media, do të ndiqen të gjitha në rrugë ligjore nga zoti Agasi. Agasi nuk është një person që ka ushtruar detyrë shtetërore. Por ai ka biznes të vetin. Nuk ka asnjë vepër penale dhe ndaj nuk duhet të akuzohesh për miqësi apo njohje. Ai nuk ka asnjë veprimtari në AKSHI. Nuk përputhen veprimtaritë e tij me ato të AKSHI-it. Zoti Agasi nuk ka përfituar asnjë tender nga financat që kanë të bëjnë me taksat dhe tatimet e personave, pra nga pushteti”, u shpreh avokati.
Në lidhje me akuzat që SPAK shpreh në dosjen hetimore se Agasi fshihet pas marrjes peng të biznesmenit Gerond Meçe, pala mbrojtëse pretendon se Agasi nuk e njeh këtë person.
“Nuk ka asnjë provë që zoti Agasi të jetë marrë me tendera. Nuk njihet as me personin që pretendohet se i është hequr liria”, deklaroi Maks Haxhia.
Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohen nga SPAK se janë biznesmenët që kanë përfituar me ndihmën e drejtueses së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj tendera publikë më vlerë dhjetëra milionë euro. Prokuroria thotë se me presione, dhunë dhe manipulime dokumentesh, ata kanë paracaktuar kompanitë fituese të lidhura me ta./vizionplus.tv





