Një sistem i mirëfilltë teknologjik përmes kamerave inteligjente pritet që të zbatohet në të gjithë vendin. Ato do të mbikqyrin çdo rrugë, institucion, apo vend publik për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Projekti “Smart City”, shënoi hapin e parë me firmosjen e kontratës me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryeministri Edi Rama tha se Smart City do t’i parë mundësi policisë që të monitojë në kohë reale të gjithë territorin me qëllim parandalimin e krimeve.
“Ky nuk është një projekt kamerash, nuk është as një projekt mbikqyrjeje me kamera dhe mbikqyrjeje e trupave të policisë përmes leximit të kameras kur del nevoja. Ky është një projekt që në sekondën kur vihet në jetë, rrit në mënyrë eksponecinale kapacitetin policor në kohë reale. Ky është një projekt që i jep policisë së shtetit një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin”, tha Rama.
Një tjetër shembull që kreu i qeverisë solli në vëmendje është siguria në shkolla që sërish do t’i besohet këtij projekti.
“Siguria në shkolla ndryshon. Shembulli i miqve nga Emiratet. Ky sistem ka hyrë në shkolla dhe jo vetëm që kanë rënë në mënyrë drastike mungesat në shkollë, por kanë rënë në mënyrë drastike edhe kopjet në shkollë. Sepse i gjithë sistemi është një sistem që funksionon për mësuesin, funksionon për prindin, funksionon për shkollën dhe, padyshim, për ministrin e Arsimit. Ashtu sikundër, në sekondën kur një person i dyshuar i afrohet derës së shkollës apo kur persona të padëshiruar vijnë vërdallë shkollës për të tregtuar lëndë narkotike, punonjësit e policisë e shohin këtë në kohë reale”, tha Rama.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu shtoi se 20 qytetet më të mëdha të vendit do të jenë të parat që do të përfitojnë nga ky sistem.
“Do vendosim mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë, nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër. Këto janë sisteme të Inteligjencës artificiale që sinjalizojnë në mënyrë autonome, janë 3 mijë kamera të trupit që do instalohen në uniformat e efektivëve të policisë së shtetit. Do instalohen kamera, radarë inteligjentë e sensorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit”, tha Koçiu.
Sipas saj, implementimi i këtij projekti do të reduktojë ndjeshëm situatën kriminale.
“Të kemi 30% më shumë të zbulueshmërisë të ngjarjeve kriminale, deri në 45% reduktim të fataliteteve të aksidenteve rrugore, 30% më pak kohë të shpenzuar në publik, 30% më pak ngarkesë administrative për policinë e shtetit”, tha Koçiu.
“Smart City” është një projekt i kërkuar nga Ministria e Brendshme para dy vitesh, duke iu referuar programit që disponojnë Emiratet e Bashkuara arabe. Me nisjën e kësaj platforme, Shqipëria bëhet e para në rajon për monitorimin e rrugëve në kohë reale përmes pajisjeve teknologjike.





