Kreu i qeverisë, Edi Rama, ditën e sotme ka bërë me dije se projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një politikë të re pagash për punonjësit e sektorit publik.
Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, shpjegoi se që nga viti që vjen administrata publike, si ajo shtetërore, ashtu edhe ajo në nivelin lokal, do të ketë një rritje të pagës në varësi të indeksimit që bëhet bazuar te inflacioni.
Sefa u shpreh se indeksimi bëhet gjithmonë në fund të shtatorit ose në tetor të secilit vit, pasi, siç tha eksperti, inflacioni matet nga gushti i vitit paraardhës deri në gushtin e vitit aktual.
Sefa komentoi edhe vendimin për rritjen e pagës minimale që hyn në fuqi më 1 janar 2026, duke e cilësuar me ndikim të dyfishtë, një kosto për bizneset, por edhe një përfitim për punonjësit dhe konsumatorët, pasi rrit fuqinë blerëse dhe kontributet në skemën e sigurimeve shoqërore.
Ndër risitë që hyjnë në zbatim është edhe llogaritja e vjetërsisë në punë për sektorë të veçantë, e cila, sipas Sefës, do të ndikojë drejtpërdrejt në llogaritjen e pensioneve, duke u garantuar punonjësve të këtyre sektorëve një pension më të lartë në të ardhmen.
Në lidhje me pensionet, eksperti shtoi se rritja prej 1800 lekësh të rinj në muaj për pensionin urban është llogaritur mbi fondin e disponueshëm dhe kategoritë përfituese.
INTERVISTA E PLOTË:
Pyetje: Çfarë do të thotë indeksimi vjetor i pagave për punonjësit e sektorit publik?
Sefa: Do të thotë që, ashtu si dhe me pensionet, që nga viti që vjen administrata publike, si ajo shtetërore, ashtu edhe ajo në nivelin lokal, do të ketë një rritje të pagës në varësi të indeksimit që bëhet bazuar te inflacioni. Në këtë mënyrë, do të mundësohet që pagat e administratës të mos ngrihen vetëm me rritje sa herë që vendos qeveria, por edhe çdo vit gradualisht të përshtaten me nivelin e inflacionit.
Pyetje: Kur ndodh kjo rritje? Pra, në fillim të vitit, në mes, në fund? Kur?
Sefa: Indeksimi bëhet gjithmonë në fund të shtatorit ose në tetor të secilit vit, sepse inflacioni matet nga gushti i vitit paraardhës deri në gushtin e vitit aktual. Del shifra përkatëse. Në rastin konkret për vitin që jemi, ishte 2.5%. Më pas, kryhet indeksimi sipas kësaj shifre që e nxjerr Banka e Shqipërisë.
Pyetje: Si e shikoni ju vendimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale që hyn në fuqi nga data 1 janar 2026 dhe çfarë impakti sjell ajo në ekonomi në tërësi?
Sefa: Impakti është i dyfishtë. Nga njëra anë, është një kosto për bizneset, sidomos ata që kanë punonjës me paga të ulëta, sepse do të duhet të paguajnë një pagë më të lartë. Por, nga ana tjetër, për konsumatorin dhe për punëmarrësin, është një benefit i dyfishtë. Kanë para më shumë për të shpenzuar, pra rriten shpenzimet për konsumin e tyre të përmuajshëm. Gjithashtu, ndikon edhe në fondin e sigurimeve shoqërore, pasi rrit nivelin e kontributeve për pensionet.
Pyetje: Për herë të parë do të kemi edhe llogaritjen e vjetërsisë në punë për sektorë të veçantë. Çfarë do të thotë kjo më konkretisht?
Sefa: Do të thotë që, përveç nivelit të pagës, kur llogaritet pensioni, këtyre personave që punojnë në këto sektorë të veçantë do t’u llogaritet vjetërsia e punës në koeficientët e llogaritjes së pensionit. Kjo do të thotë praktikisht, në fund ata do të kenë mundësi të marrin një pension më të lartë sesa do ta merrnin po të dilnin sot në pension, ku nuk do t’u llogaritej kjo shtesë e vjetërsisë së punës.
Pyetje: Dhe të gjitha këto janë shtesa, njëra pas tjetrës. Pra, një punonjës nuk është se penalizohet në qoftë se merr shtesën e vjetërsisë apo të indeksimit. Pra, janë të gjitha njëra pas tjetrës.
Sefa: Absolutisht. Këto janë shtesa të akumuluara. Pra, janë shtesa që i përfiton të gjitha secili punonjës, edhe indeksimin, edhe atë të vjetërsisë në punë. Absolutisht, janë bashkë.
Pyetje: Çfarë peshe kanë këto në buxhet sipas jush? Domethënë, a e dëmtojnë, le të themi, në tërësi buxhetin, duke parë që drafti i paraqitur nga qeveria ka fokus te kujdesi social, te mirëqenia sociale. Sipas jush, çfarë peshe kanë këto në buxhet në raport me zërat e tjerë, për shembull bujqësinë, infrastrukturën, mbrojtjen e kështu me radhë?
Sefa: Kemi një farë llogarie dhe një projeksion që është bërë në projektbuxhetin afatmesëm edhe nga qeveria se sa do të jetë impakti për këtë rritje të pagave dhe për pensionet. Për të katër vitet e mandatit pritet të shkojë në rreth 1.7 miliardë euro. Që ta kuptojnë edhe shikuesit, po ta krahasojnë këtë me shifrën e investimeve publike, të gjitha investimet publike janë pothuajse të barabarta. Pra, kostoja që do të ketë e shtrirë në tre-katër vite e gjithë kjo rritje e pagës dhe pensionit do të jetë pothuajse e barabartë me investimet publike në një vit. Pra, është një peshë goxha e konsiderueshme. Nëse do ta marrim vetëm vjetore, pritet të shkojë diku te rreth 440-450 milion. ashtu siç parashikonte projektbuxheti i paraqitur nga qeveria. Për krahasim, arsimi merr 620 milionë euro.
Pyetje: Pensionistët morën të parët lajmin e mirë që do të ketë një rritje nga janari i vitit që vjen. Si konsiderohet kjo rritje sipas jush? Pra, të paktën për pensionin urban, 1800 lekë të rinj çdo muaj, është llogaritur bazuar ku?
Sefa: Kjo rritje është llogaritur mbi fondin e disponueshëm që është bërë dhe mbi ndarjet sipas kategorive. Është marrë urbani i plotë, që ka rritje më të madhe, për arsye se numri më i madh i pensionistëve, përfitojnë këtë lloj pensioni. Dhe mbi të gjitha, kjo varet edhe nga disponueshmëria e fondeve. Me fondet që kemi aktualisht, madje, kjo shumë që duket e vogël e ka tejkaluar pak disponueshmërinë e fondeve nga ana e qeverisë.
/vizionplus.tv





