Edhe pse pa iu referuar drejtpërdrejt situatës së krijuar me investimin në Zvërnec, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, gjatë një forumi biznesi vuri theksin te dialogu mes grupeve të interesit, si një element kyç për të nxitur sipermarrjet e huaja.
“Shpresoj të ketë dialog. Kam parë edhe investime shqiptare ku ka pasur dialog konstruktiv dhe rezultate konkrete. Duhet luftuar korrupsioni në këtë aspekt për të cilin po flasim. Le ta marrim këtë si një mesazh të fortë, në mënyrë që të ecim përpara. Theksin do ta vendosja te dialogu”, tha Grant Van Cleve, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë
Ndërkohë, Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi gjetjet kryesore të sondazhit të saj të fundit.
“Gjetjet kryesore lidhen me monopolet dhe konkurrencën e pandershme, burokracitë qeveritare, klimën e brendshme politike dhe ekonominë informale, të cilat mbeten shqetësimet kryesore të anëtarësisë sonë”, deklaroi Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë
Sondazhi i “AmCham” konsiderohet një nga matësit më të rëndësishëm të perceptimit të investitorëve dhe kompanive që operojnë në Shqipëri, duke shërbyer si tregues i besimit të sektorit privat ndaj institucioneve dhe funksionimit të tregut.





