Komisioni i ligjeve rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj.
Me vetëm 5 vota pro dhe 9 kundër mazhoranca refuzoi shkarkimin e kreut të shtetit.
Më herët, PD listoi edhe rastet ku sipas opozitës, Begaj ka shkelur kushtetutën, duke nisur nga dekreti për zgjedhjet lokale në Tiranë e deri te dekretimi i Ministres së Inteligjencës Artficiale “Diella”.
“Dekretoi zgjedhje në Tiranë në shkelje të Kushtetutës. Ndërhyri në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i preku pavarësinë. Dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore. Dekretoi ministren virtuale ‘Diella’. Nuk ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025. Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve. I biri i punësuar fiktivisht në një kompani private sigurimesh që përfiton tendera nga presidenca si dhe vetë Begaj i punësuar në një klinikë private”, tha deputeti demokrat Gjin Gjoni.
Por këto argumente nuk e bindën mazhorancën, duke i rikujtuar të djathtëve se disa prej çështjeve të ngritura po shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese.
“Vlerësojmë se sa kohë që dekretet e presidentit për emërim e këshillit të ministrave, është objekt shqyrtimi në GJK kjo cështje ka hyrë në rendin kushtetues dhe nuk mund të shqyrtohet nga kuvendi”, tha deputetja socialiste Aulona Bylykbashi.
Të njëjtën linjë mbajti edhe kryetari i Komisionit të ligjeve Ulsi Manja i cili theksoi se disa nga vendimet e marra prej Begajt janë në përputhje me Kushtetutën.
“Presidenti ka caktuar datën e zgjedhjeve me dekret sepse ia jep kushtetuta. U ngrit pretendimi që presidenti duhet të konsultohet me GJK, është absurd juridik, sepse ai ka diskrecion të lirë për të marrë vendime”, tha Manja.
Pvarësisht rrëzimit në Komisionin e Ligjeve kërkesa e Partisë Demokratike do të kalojë në seancën parlamentare për votim.





