“Albania’s Got Talent” çeli siparin e sezonit të dytë në ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus, në një natë që përmbante gjithçka, lot, emocione, batuat e mbi të gjitha spikati talenti.
Dymbëdhjetë konkurrentët e kësaj puntate dhuruan spektakël të vërtetë në performancat e tyre. Për rreth dy orë publiku në sallë, ai në shtëpi, por edhe juria u përfshinë në përjetime emocionale që duket se ishin të pashmangshme.
Fëmijët ishin ata që shkëlqyen në këtë natë, ku me çiltërsinë dhe lirshmërinë në skenë rrëmbyen jo vetëm duartrokitjet, por dhe “po-të” e katër anëtarëve të jurisë. Me humor, profesionalizëm dhe kritikë të ndërtuar, ata vlerësuan secilin konkurrent për origjinalitetin dhe energjinë në skenë.
Kontrast emocionesh ishte ai mes vogëlushes Esper Kalemaj në akrobaci, dhe performancës së artisteve të vogla Alesia dhe Françeska Kasa.
Ishte performanca e Diego Zelkas, talenti me zërin e fuqishëm që jo vetëm befasoi jurinë por arriti dhe të rrëmbente butonin e artë, të Adelina Ismajlit. Performacë kjo që solli një mesazh të fuqishëm përmes artit.
Gara duket se është e fortë, ku veç pjesëmarrësve nga trevat shqipfolëse, formatit shqiptar i janë bashkuar edhe të huaj. E tillë ishte dhe interpretimi i akrobates italiane Clorinda.
Shumë talente spikatën në këtë mbrëmje. Eliza Thartoi, Uendi , Artin Cami, Deon Gjoka, etj., sollën muzikë dhe ritëm në skenën e “Albania’s Got Talent”. Ndonëse pati edhe ng ata që nuk kaluan dot në fazën tjetër.
Në fund të natës, “Albania’s Got Talent” dëshmoi se mbetet një nga programet më të fuqishme të argëtimit, që jo vetëm zbulon talente të reja, por edhe përcjell mesazhin se ëndrrat mund të bëhen realitet me pasion dhe guxim.
Ndaj për ju që nuk patët mundësi ta ndiqnit këtë mbrëmje magjike, e gjeni në kanalin zyrtar të Vizion Plus në Youtube, si dhe në të gjitha rrjetet sociale të Vizion Plus. Ndërsa takimi i radhës për të zbuluar të tjerë talente do të jetë të hënën e ardhshme në orën 21.00/vizionplus.tv





