Në kuadër të një nisme të veçantë, Hackathon & Investment Forum EU–WB6 ka bashkuar të rinj të pasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit, sipërmarrës dhe investitorë nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian për të ndihmuar zhvillimin digjital të rajonit. Ky event ofron një mundësi për startup-et dhe krijuesit të zhvillojnë ide dhe zgjidhje digjitale që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, duke hapur mundësi të reja për inovacion dhe investime.
Kryeministri Edi Rama, gjatë hapjes së eventit, vlerësoi rëndësinë e krijimit të një hapësire bashkëpunimi për inovatorët dhe startup-et, duke ofruar akses në institucionet shtetërore dhe burimet e të dhënave që do të mundësojnë zhvillimin e zgjidhjeve të reja përmes inteligjencës artificiale
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e teknologjisë dhe AI-së për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duke vlerësuar rolin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si një strukturë kyçe që, sipas tij, ka evoluar në një “anije që na nderon dhe motivon”.
“AKSHI tani është bërë një anije që vërtet na nderon dhe na motivon pasi shohim se sa shumë mund të bëjmë akoma. Dua të them që ne kemi rënë dakord brenda nesh të çojmë përpara procesin duke hapur dyert e qeverisë, për të gjithë inovatorët dhe duke krijuar një hapësirë të përbashkët, me bërthamë agjencinë e ekselencës që ne e kemi krijuar para pak kohe që do ta vëmë në dispozicionin tuaj dhe të gjithë inovatorët. Duam që inovatorët të kenë mundësi të aksesojnë institucionet dhe të shohin nga afër problematikat dhe të shfrytëzojnë statistikat e tyre dhe të gjithë atë brumë që është baza e zgjidhjeve me inteligjencës artificiale…Ne kemi sfidën të krijojmë një mbështetje të ministres artificiale.”, tha kryeministri Rama.
Ai u shpreh se qeveria shqiptare ka vendosur të hapë dyert për inovatorët, duke u mundësuar atyre akses në institucionet publike, me qëllim që të identifikojnë problematika konkrete dhe të përdorin të dhënat për të zhvilluar zgjidhje me AI.
Rama bëri të ditur se do të krijohet një “akselerator i fuqishëm” në mbështetje të ministres për Inteligjencën Artificiale, Diella, që do të shërbejë si strukturë zhvillimi dhe bashkëpunimi për produkte të reja dixhitale. Ky akselerator do të mbështetet tek kapitali njerëzor i AKSHI-së, por edhe tek vetë komuniteti i inovatorëve.
“Synimi është që çdo institucion të përfitojë nga potenciali i AI, duke ‘zgjeruar trurin’ përmes kësaj teknologjie. Kemi marrë 161 ide deri tani dhe gara do të vijojë”, përfundoi kryeministri.
“Kemi sfidën të krijojmë një akselerator shumë të fuqishëm në mbështetje të Diellës, ministres AI, akselerator që do të bazohet tek ju, kapitali njerëzor që kemi brenda AKSHI dhe do të mundohemi që çdo institucioni t’i zgjerojmë trurin nëpërmjet AI, ky është plani. Më than që keni paraqitur 161 ide, gara do të vijojë”, tha Rama.
/vizionplus.tv





