Më shumë se 1.5 milionë protestues në të gjithë Francën vijuan qëndresën e tyre ndaj kreut të shtetit ndërsa qeveria ka kundërshtuar të tërhiqet nga reforma e premtuar e pensioneve.

Kryeministri Edouard Philippe ka deklaruar se pavarësisht grevës mbarëkombëtare që ka paralizuar vendin, qeveria do të ecë përpara me një sistem universal të pensionit.

 

 

EDOUARD PHILIPPE

 

KRYEMINISTER I FRANCES

 

 

“Vendosja e një sistemi universal të pensioneve nënkupton heqjen e regjimeve speciale. Unë nuk besoj se francezët mund të vazhdojnë të pranojnë planet që lejojnë disa të dalin në pension më herët se të tjerët pavarësisht se kanë punuar në të njëjtat kushte. Qeveria do të vazhdojë punën ndërkohë që logjika ime nuk është ajo e konfrontimit prandaj ftoj qytetarët që të diskutojmë dhe jo të dhunojmë.”

 

 

Sindikata e Konfederatës së Përgjithshme të Punës, një nga më të mëdhatë në Francë , tha që qeveria po injoronte mobilizimin kombëtar. Parisi është paralizuar tërësisht, tensionet u përshkallëzuan ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e zemëruar.

 

Punonjësit e sindikatave hodhën fishekzjarrë drejt oficerëve, sulmuan stacionet e autobusëve dhe i vunë zjarrin koshave të mbeturinave.

 

Më shumë se 90 persona u arrestuan. Protestuesit me kapuç dhe maska kanë ndezur zjarre në rrugë dhe kanë bllokuar metrotë. Përplasje të dhunshme ka patur edhe në qytete të tjera të vendit. Sikurëse është paralajmëruar, greva do të vijojë edhe gjatë fundjavës.

 

Avionet, trenat, transporti urban, rafineritë madje dhe spitalet e shkollat ​​publike, kanë pezulluar aktivitetet. Muzeu i Luvrit dhe të tjera institucione kulturore gjithashtu janë mbyllur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *