“SHBA-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s, për sigurimin e një Evrope të sigurt dhe paqësore dhe ne jemi krenarë për marrëdhëniet e mira të SHBA-së me shtetet anëtare të Kartës së Adriatikut”, ka deklaruar të enjten në Shkup të Maqedonisë së Veriut, Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander.

 

Ajo në Shkup mori pjesë në takimin e 20-të ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A-5) ku u bisedua për sfidat rajonale të sigurisë pas pushtimin të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.

 

Vendet e Kartës SHBA-Adriatik (A5) dënuan njëzëri agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, si kërcënim për paqen dhe sigurinë globale, evropiane dhe rajonale.

 

“Ne nuk jemi vetëm aleatë, ne jemi edhe miq që jemi të bashkuar drejt vizionit të një Evrope paqësore dhe të qëndrueshme, e cila ndjek dhe respekton parimet e lirisë dhe sundimit të ligjit”, tha Wallander.

 

Angazhimi dhe puna në kuadër të Kartës SHBA-Adriatik (A5), dorëzimi i presidencës Shqipërisë, misioni i NATO-s në Irak dhe të gjitha angazhimet e përbashkëta të ardhshme, sipas Wallander, duhet të jenë një “kujtesë se çdo hap është një hap me të cilin paqja nuk është vetëm një aspiratë, por edhe realitet për të gjithë komunitetin global”.

 

Duke komentuar zhvillimet në Kosovë Wallander tha se “përmes dialogut duhet të gjenden kompromise që do të kontribuojnë në sigurinë e rajonit”.

 

Ajo shprehu keqardhjen për incidentin e shtatorit në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku ndërsa theksoi se në shënjestër të sulmeve të mëparshme ishin edhe ushtarët amerikanë në kuadër të KFOR-it.

 

Ministrja maqedonase e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska tha se Shkupi po bënë gjithçka për të parandaluar rreziqet që vijnë nga Rusia e që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.

 

“Sa i përket ndikimit rus, do të pengojmë çdo përpjekje për ndikim që rrezikon interesat tona strategjike dhe kombëtare. Ne kemi ndërmarrë masa konkrete me dëbimin e diplomatëve rusë të cilët kanë shkelur përgjegjësitë e tyre diplomatike duke tentuar të dëmtojnë proceset tona”, ka deklaruar Petrovska

 

Ajo tha se intensifikimi i bashkëpunimit rajonal do të kontribuojë në forcimin e sigurisë rajonale.

 

“Më vjen mirë që pika e parë në deklaratën e përbashkët që sapo kemi nënshkruar i referohet angazhimit tonë të vendosur për integrimin e plotë evropian dhe euroatlantik të vendeve të Evropës Juglindore, por edhe përkushtimit tonë për paqen rajonale dhe evropiane dhe sigurinë”, tha Petrovska.

 

Karta SHBA-Adriatik është krijuar më 2003 nga Shtetet e Bashkuara dhe ka për synim që të koordinojë aktivitetet mbështetëse për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *