Subscribe

Vala e zgjerimit të Bashkimit Europian, me vende të Ballkanit Perëndimor pritet të jetë ne vitin 2025.

 

“EU Observer” në shkrimin ku citon një draftraport të përgatitur nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, që do të kalojë për miratim më 14 shkurt, thekson se partnerët e Ballkanit Perëndimor tani kanë një shans historik. Për herë të parë perspektiva e tyre për integrim është në një interval të favorshëm, thuhet në dokument.

 

Draftraporti lë të kuptohet se Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Bosnja, “duhet të kenë avancuar pozitivisht në rrugën e tyre europiane”, ose siç shkruhet me fjalë të tjera në kllapa, “negociatat e tyre duhet të kenë avancuar mirë”.

 

Në shkrimin titulluar “BE vendos datën për valën tjetër të zgjerimit”, “EU Observer” shkruan se dy vende të rajonit, Mali i Zi dhe Serbia, do të mund të jenë gati për anëtarësim.

 

“Me një vullnet të fortë politik, me rezultate të vërteta në reforma dhe me zgjidhje afatgjata për mosmarrëveshjet mes fqinjëve, Mali i Zi dhe Serbia duhet të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025”, shkruan Euobserver.

 

Draftraporti shënon një ndryshim qëndrimi pas deklaratës së Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në vitin 2014, sipas të cilës nuk do të ketë zgjerim të BE-së në të ardhmen e afërt.

 

Shkrimi thekson se Serbia dhe Mali i Zi i kanë hapur tashmë negociatat për anëtarësim, Shqipëria dhe Maqedonia shpresojnë të çelin negociatat gjatë këtij viti. Ndërkohë që Bosnja shpreson të marrë statusin e vendit kandidat dhe Kosova po kërkon zyrtarisht të quhet një kandidat.

 

Draftraporti nënvizon se BE nuk mund të importojë në radhët e saj mosmarrëveshjet mes shteteve. Kjo është arsyeja se pse vendet e Ballkanit duhet t’i zgjidhin vetë në mënyrë emergjente këto problem, thuhet në draftin e përgatitur nga Komisioneri Hahn.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *