Kryeministrja britanike Theresa May i shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare me synimin për të forcuar pozitat e saj në bisedimet me Brukselin për daljen nga unioni, por rezultati i tyre nuk ishte ai që shpresonte.

 

Zgjedhjet ishin një goditje shokuese për konservatorët, që ndonëse renditen forcë e parë nuk mund ta krijojnë te vetëm qeverinë. Ata morën 42 përqind të votave, kundrejt 40 përqind të laburistëve.

 

Partia e May ka 318 deputetë, kundrejt 261 të laburistëve, dhe i duhet ndihma e një partie të vogël. Për qeverisjen nevojiteshin 326 vende në parlamentin 650 vendësh. Megjithatë May është e vendosur për ta krijuar qeverinë me mbështetjen e Partisë se Bashkimit Demokratik të Irlandës së Veriut, që ka marrë 10 deputetë. Ajo do të shkojë në Buckingham Palace për të kërkuar leje nga Mbretëresha të formojë kabinetin. Më herët kryeministrja tha se i rëndësishëm është stabiliteti i vendit.

 

“Duhet të jetë detyra jonë që të sigurojmë se do të kemi një periudhë stabiliteti dhe kjo është ajo që do të bëjmë. në këtë kohë, më shumë se gjithçka tjetër, vendit i duhet stabilitet.”

 

Por rivali i saj laburist i kërkoi të dorëhiqej.

 

 “Mesazhi i zgjedhjeve është se kryeministrja i shpalli ato, pasi donte një mandat. Kjo i solli humbje të mandateve të konservatorëve, të mbështetjes dhe besimit. kjo është e mjaftueshme për t’u larguar dhe për t’i hapur rrugë nje qeverie që do të përfaqësojë të gjithë njerëzit e këtij vendi”.

 

Paqartësitë për qeverinë kanë shkaktuar pikëpyetje edhe për bisedimet për Brexit, qe duhet të nisin brenda nëntë ditësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *