Një banesë e kthyer në një bazë për përpunimin e drogës është zbuluar nga Antidroga e Tiranës në Yzberisht.
Në pranga është vënë pronari i shtëpisë, 61-vjeçari Shkëlqim Krrashi, i cili sipas policisë siguronte sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine që i shiste tek klientë të ndryshëm.
Lexo edhe :
Gjatë kontrollit në këtë banesë, agjentët e Antidrogës kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 17 kilogramë kanabis në formën e çokollatës dhe 22.5 litra vaj kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro. Gjithashtu është sekuestruar një sasi kokaine, 1 pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Shkëlqim Krrashi prej disa muajsh ishte në përgjim dhe në vëzhgimin e policisë, pasi agjentët kishin të dhëna për aktivitetin kriminal.
61-vjeçari me origjinë nga Bulqiza, sipas burimeve, kanabisin dhe vajin e tij e siguronte në Maqedoninë e Veriut. Kokainën ai e shiste në doza të vogla, ndërsa hashashin dhe vajin e tregtonte me shumicë.
Krashi nuk figuron person me precedent penal, por blutë e Tiranës po vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj Kanabisi (të dyja sasitë me rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të Kanabisit dhe Kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv






