Subscribe

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim u përçoi drejtuesve të institucioneve të sistemit të drejtësisë mesazhin se për Shtetet e Bashkuara korrupsioni përbën cënim për sigurinë kombëtare.

 

Gjatë një takimi për sistemin e drejtësisë, diplomatja amerikane solli në vëmendje vendimin e presidentit Biden për të shtuar Shqipërinë në listën e vendeve ku do të aplikohet edhe konfiskimi i pasurisë.

 

YURI KIM

AMBASADORE E SHBA   

 

“Muajin e kaluar, Presidenti Biden e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë korrupsionin një kërcënim për sigurinë kombëtare. Si pasqyrim i kësaj politike të re, Presidenti Biden zgjeroi shtrirjen e Urdhrit Ekzekutiv për Personat e Përfshirë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor për të përfshirë Shqipërinë, për të identifikuar sjellje të tjera të dënueshme dhe për ta bërë Urdhrin Ekzekutiv të zbatueshëm ndaj një gamë më të gjerë personash të përfshirë në aktivitete që çojnë në abuzim serioz të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor ose që kanë të bëjnë me korrupsionin.”

 

Sipas ambasadores Yuri Kim ky urdhër duhet të lexohet si një motiv më shuë për të rritur luftën kundër korrupsionit.

 

 

“Ky Urdhër Ekzekutiv duhet të nxisë zyrat e prokurorisë në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, të dyfishojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin.  Ulja e numrit të prokurorëve për shkak të procesit thelbësor dhe kërkues të verifikimit kalimtar, ndërlikuar nga pengesat e paparashikuara të pandemisë së COVID-19, theksojnë nevojën e përshtatjes së vazhdueshme dhe nivelet më të larta të performancës.”

 

Ky apel i diplomates amerikane u pasua nga angazhimi i drejtuesit të Spaku-t Arben Kraja, i cili paralajmëroi se arrestimi i kreut të bashkisë së Lushnjës është vetëm fillimi.

 

 

ARBEN KRAJA

DREJTUES I PROKURORISE SE POSACME

“Ngjarjet e fundit është fillimi i një produkti për të cilën ne ka kohë që ka vijuar  dhe do të vijojnë deri në fund. Lufta ndaj pastrimit të parave, korrupsionit dhe shkelësve të ligjit do të vijojë deri në nxjerrjen para drejtësisë të fajtorëve”

 

Një ditë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit arrestoi kryetarin e bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe me akuzën e korrupsionit e shpërdorimit të detyrës, duke shënuar rastin e parë që Spak godet një drejtues të pushtetit vendor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *