Subscribe

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, ku u prit nga gjenerali Curtis Scaparrotti. Ne fokus ishte  përforcimi i bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Komandës së Aleancës për Operacionet, si dhe për të diskutuar angazhimin e fortë të vendit tonë në operacionet e NATO-s. Xhaçka shprehu vendosmërinë për të kontribuuar në të gjitha misionet.

 

“Shqipëria qëndron e angazhuar dhe do të vazhdojë kontributet në Misionin Resolute Support në Afganistan, KFOR Kosovë, Praninë e Përparuar të NATO-s në Letoni, aktivitetet detare të NATO-s në detin Egje, Forcën e Reagimit të NATO-s dhe Qendrën Rajonale për Jugun në Napoli. Vetëm disa ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi shtimin me 60% të trupave tona në Misionin Resolute Support. Për më tepër, për vitin 2019, Shqipëria ka marrë në konsideratë dhe ka vendosur në parim për të rritur kontributin tonë me personel shtesë.”

 

Pas takimit me komandantin suprem të forcave aleate në Evropë, ministrja Xhaçka foli edhe për rritjen e vëmendjes së qeverisë për ushtarakët shqiptarë në misionet jashtë vendit.

 

“Jam takuar me trupat tanë kudo që kam qenë sepse është përgjegjësia ime për të qëndruar pranë të gjithëve, për të dëgjuar se cilat janë nevojat e tyre, por gjithashtu për t’i siguruar ata në cilësinë e ministres së Mbrojtjes, por edhe në emër të qeverisë, se ne gjithmonë do t’i mbështesim ata si nxitësit e paqes dhe sigurisë kudo që ata shërbejnë. Ne jemi krenarë për ta, kështu që në këtë kuptim, si ministre e Mbrojtjes, por edhe në emër të qeverisë, i takoj për t’i siguruar se do t’i mbështesim fuqimisht.”

 

Shqipëria ka rritur nga viti në vit kontributin e saj në misionet e NATO-s dhe është angazhuar të rrisë buxhetin e Mbrojtjes në 2% deri në vitin 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *