Athina dhe Ankaraja e konsiderojnë historike vizitën dyditore të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Greqi këtë të enjte.

 

 

Kjo vizitë është e para e një presidenti turk prej vitit 1952, kur Greqinë e vizitoi Presidenti i atëhershëm Xhelal Bajar. Në epiqendër të bisedimeve do të jenë çështje si refugjatët, siguria nga terrorizmi, si dhe perspektiva europiane e Turqisë.

 

 

Athina do të mirëpresë presidentin turk pas 65 vitesh. Ftesa zyrtare iu dërgua Presidentit turk vetëm të shtunën e shkuar. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë greke, axhenda e Erdogan përfshin dhe një vizitë në krahinën e Thrakës, në qytetin e Komotinisë, ku gjendet komuniteti më i madh turqishtfolës myslimanë. Kjo vizitë është konsideruar disi “private” për të krijuar një balancë politikisht korrekte, për aq kohë sa në Komotini sipas Athinës, nuk do të ketë provokime. Për vizitën e tij në Komotini, Greqia ka rezervat e veta duke marrë shkas nga vizita e një muaji më parë e Zëvendëspresidentit turk Hakan Çavushoglu në atë zonë, duke i quajtur provokuese sipas Athinës deklaratat e tij për “Mëmën Turqi”.

 

 

Vizita e Erdoganit kryhet në një moment tejet kritik për zhvillimet në rajonin e gjerë të Mesdheut Juglindor,  ndërkohë që marrëdhëniet e Ankarasë me Berlinin, Brukselin dhe Uashingtonin janë në pikën më të ulët.

 

 

Megjithatë, të dyja vendet vlerësojnë se në një periudhë të vështirë ndërmjet dy vendeve me çështje të rëndësishme për sigurinë në rajon, dialogu është shumë i rëndësishëm.

 

 

Bashkëpunimi ekonomik dhe lufta antiterror, mesa duket do të jenë magneti i vizitës së Erdoganit. Ankaraja ka shprehur interes të madh në fushën e transporteve, në hekurudhën që ndërlidh Izmirin me Selanikun si dhe në linjën hekurudhore që do të lidhë Bullgarinë me Greqinë e Veriut.

 

 

Për Greqinë është e një rëndësie të veçantë çështja e refugjatëve dhe respektimi i marrëveshjes BE-Turqi për këtë çështje.

 

 

Për çështjen e Qipros nuk pritet përparim, pasi gjithçka do të gjykohet pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Qipros në shkurtin e ardhshëm.

 

 

Megjithatë, Athina dhe Nikosia e konsiderojnë një mundësi për “ t’i matur pulsin” Erdoganit dhe të mësojnë qëndrimet e palës turke, megjithëse e kanë të vështirë të kuptojnë qëndrimin e palexueshëm të tij.

 

 

Greqia do të hapë kartat e saj nesër mbi tavolinë  për merakun e madh të  ‘provokimeve”  turke në Egje, për përmirësimin e klimës dhe fqinjësisë së mirë.  Perspektiva Europiane e Turqisë do të jetë pjesë e axhendës, ku Greqia shpreh vazhdimisht mbështetjen e saj, siç e shpreh shpesh për Shqipërinë e Maqedoninë, duke paraqitur kështu përpara ndërkombëtarëve alibinë e vullnetit dhe dëshirës së mirë. Ky takim nuk do të zgjidhë problemet komplekse midis dy vendeve, por pritet një kanalizim në udhë normale me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.

 

Athinës i takon të zbusë klimën, të ngrejë marrëdhënie të qeta dhe të “ledhatojë” Turqinë,  duke shmangur retorika, incidente dhe duke nxitur bashkëpunimin në ekonomi, turizëm  e tregti. Greqia duke përdorur kartën e saj si një portë hyrëse për në Bashkimin Europian, do të ketë një “armik” më pak, me perspektivë afatgjatë çështjen e Qipros.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *