Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut votoi me 101 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim” qeverinë e re teknike të drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

 

Në seancën e  te premtes gjithashtu u zgjodhën edhe ministrat e rinj, dy nga të cilët vijnë nga radhët e VMRO-DMPNE-së, sipas Marrëveshjes së Përzhinës.  Më herët gjatë ditës, presidenti i vendit i dha zyrtarisht mandatin kryeministrit të ri teknik, Oliver Spasovski.

 

“Në bazë të nenit 84 të kushtetutës dhe në përputhje me nenin 43 të ligjit për qeverinë dhe propozimin e partisë më të madhe politike të formuar nga mazhoranca qeveritare, për të formuar një qeveri kalimtare për realizmin e zgjedhjeve, e mandatoj Oliver Spasovskin.”

Kreu i ekzekutivit i cili do të mbajë detyrën deri në zgjedhjet e 12 prillit, deklaroi përkushtimin e tij për mbarëvajtjen e punës së institucioneve dhe garantimin e një procesi të lirë dhe të drejtë zgjedhor.

 

“Detyra jonë në qeverinë e re do të jetë të sigurohemi që shteti të vazhdojë të përparojë , të ketë zgjedhje të drejta e demokratike dhe t’u mundësojë qytetarëve që të marin vendimet e tyre lirshëm. Duam që të gjitha institucionet të vazhdojnë me të njëjtën dinamikë, në mënyrë që të kenë zhvillim dhe prosperitet për të ardhmen e vendit.”

Pas 100 ditësh, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do t’i drejtohen kutive të votimit. Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, parlamenti do të shpërbëhet më 11 shkurt, pra 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

 

Vendimi për dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev vjen pas dështimit të Shkupit Zyrtar për të marrë datën për çeljen e negociatave të antarësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *