Kryedemokrati Lulzim Basha shprehu ngushëllime për familjarët e 66-vjeçarit nga Lushnja që humbi jetën të mërkurën për shkak të komplikacioneve nga koronavirusi. Teksa përgëzoi mjekët për pacientin që po shërohet, Basha tha në “Facebook” se bluzat e bardha duhet të kenë një kujdes të veçantë.

 

“Është i trishtueshëm lajmi që një tjetër qytetar ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga COVID 19. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet familjes së tij. Dua gjithashtu të përgëzoj dhe uroj ekipin e mjekëve dhe pacientin që mbrëmë e fitoi betejën me COVID 19. Prej ditësh kam shprehur shqetësimin për ekspozimin e mjekëve dhe stafit shëndetësor ndaj COVID 19. Fatkeqësisht sot kemi 9 raste të konfirmuara mjekësh të prekur nga Covid 19 si dhe dhjetra raste të tjera të vetëkarantinuar. Do ta përsëris edhe shumë herë të tjera pa u lodhur thirrjen ndaj qeverisë që të pajisë personelin shëndetësor me të gjjthë mjetet e duhura mbrojtëse si dhe të marrë urgjentisht masat për të ngritur ambjente të veçanta në spitalet rajonale për të pritur dhe trajtuar personat që kane shenja apo dyshime se mund të jenë prekur nga COVID 19.  Mjekët dhe infermierët janë mburoja jonë, janë garancia për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë tejet kritike.”

 

Ai u kërkoi të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi dhe të mos tregohen moskokëçarës, por të zbatojnë urdhrat. Basha bëri thirrje që një vëmendje më e shtuar të jetë edhe për të moshuarit dhe familjet në vështirësi ekonomike.

 

66-vjeçari nga Lushnja u bë viktima e dytë nga koronavirusi në Shqipëri, pas të moshuarës 73-vjeçare që vdiq në Spitalin e Durrësit disa ditë më parë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 66-vjeçari vuante edhe nga sëmundje të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *