Dy vatra zjarrit kanë përfshirë zonën e Mallakastrës së Egër. Një prej vatrave është riaktivizuar në zonën e Panahorit, ndërsa flakët tashmë po avancojnë edhe në drejtim të Greshicës, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Vatra tjetër vijon të jetë aktive në zonën mes fshatrave Drenije të bashkisë Patos dhe Vlosht të bashkisë Roskovec, dy fshatra që ndodhen ngjitur me njëri-tjetrin.
Të dyja vatrat janë zhvendosur në kodrat e thepisura të zonës, të njohur si “Mallakastra e Egër”, ku kushtet atmosferike, veçanërisht era e fortë, favorizojnë përhapjen e flakëve.
Ekipet po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa terreni i thepisur dhe era e fortë po vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen.
Ndërkohë në zonën e Dajtit, pranë fabrikës, vijon monitorimi i vatrës së zjarrit. Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të vatrave të vogla.
Në Cikallesh te Kavajës, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë vijon të jetë aktiv, por situata nuk paraqitet problematike dhe po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse, pas mbështetjes edhe me mjet ajror të Forcave te armatosura.





