Ditën e diel, vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta, duke sjellë përgjithësisht mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit.
Vranësira të pakta deri mesatare pritet të shfaqen kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje, jug dhe juglindje, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Në zonën e juglindjes, vranësirat do të jenë herë pas here më të dendura.
Reshje shiu me intensitet të ulët parashikohen kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje, jug dhe juglindje, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Në mënyrë të izoluar, nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë nga kuadrati i perëndimit, me shpejtësi mesatare deri në 6 m/s. Herë pas here, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet, duke arritur shpejtësinë deri në 14 m/s.
Në dete, valëzimi parashikohet i forcës 1–3 ballë.




