Më shumë se një mijë pasagjerë dhe 260 automjete kanë mbërritur mëngjesin e kësaj të shtune në portin e Vlorës me tragetin e linjës Brindisi–Vlorë, ndërkohë që një fluks i tillë pritet edhe me tragetin e pasdites.
Sipas autoriteteve portuale, numri më i madh i udhëtarëve priten gjatë javës së dytë të muajit gusht.
Nga ana tjetër, Vlora po përjeton trafik të rënduar këtë fundjavë, për shkak të numrit të lartë të pushuesve vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur rivierën shqiptare për të kaluar ditët e nxehta të gushtit.
Segmentet hyrëse dhe dalëse të qytetit, si dhe rruga drejt plazheve apo edhe ajo Transballkanike, janë ndër zonat më problematike, me vonesa të konsiderueshme në lëvizje.
Uniformat blu të Policisë Rrugore janë vendosur në akset kryesore të qytetit për të disiplinuar trafikun dhe për të shmangur radhët e gjata.
/vizionplus.tv





