Puçiste e quajti nënkryetari i LSI, Petrit Vasili mazhorancën, e cila sipas tij, po kërkon të shkelmojë reformën në drejtësi. Këtë të mërkurë ai bëri publik qëndrimin e Komitetit të Helsinkit për ndryshimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Për Vasilin, edhe Helsinki e thotë qartë se askush s’mund të dalë mbi Kushtetutën.
“Komiteti i Helsinkit me kthjelltësi profesionale të lartë dhe me vetëdije kushtetuese dinjitoze ka formuluar qëndrimet e tij për tentativen puçiste të rilindjes për të ndryshuar “Ligjin e Gjykatës Kushtetuese”. Ky ndryshim i rilindjes bëhej për të hequr betimin te presidenti të gjykatësve Kushtetues duke shkelur turpshëm e dhunshëm Kushtetutën dhe duke i vënë shkelmin reformës në drejtësi. Komiteti i Helsinkit i vë vulën se: S’ka ligj që të dalë mbi Kushtetutën; Ligji ishte një puç i pakonsultuar me askënd; S’ka asnjë shans që ligji të ketë fuqi prapavepruese; Ligjet e miratuara si pjesë e reformës në drejtësi nuk mund të bëhen pronë e puçistëve të rilindjes.”
Komiteti i Helsinkit e ka shprehur mendimin e tij për këtë çështje në një letër të nisur për kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe për Kuvendin. Sipas Komitetit, betimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet me shkrim. Po ashtu, ai ka theksuar se nuk mund të merren kompetencat e një institucioni dhe t’i jepen një tjetri.