Alergjitë e stinës kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë kësaj periudhe duke bërë që tek shumë individe ato të shoqërohen edhe me probleme shëndetësore. Sipas mjekëve okulistë sytë jane më të prekurit nga alergjitë stinore.
“Personat që janë të predispozuar të kenë alergji pikërisht nga këta ngacmuesit stinor, nga polenet që janë ngacmues të kësaj stine fillon dhe ajo pjesa e alergjisë nga bari, aq më shumë shohim pacientë që paraqiten me këto probleme si tek fëmijët dhe të rriturit”, tha Rubin Topi, mjek okulist
Mjeku okulist Rubin Topi shprehet se rastet e personave me alergji në sy janë të përditshme në klinikat okulistike. Ai këshillon qytetarët për më shumë kujdes të shtuar me qëllim që alergjitë të mos përkeqësohen.
“Ne i kemi rastet të përditshme, nga 10 pacientë 3-4 paraqiten me alergji. Ne i rekomandojmë që kur futen në shtëpi të lajnë sytë apo dhe pjesën e fytyrës dhe kjo bënë të mundur largimin e alergenëve nga pjesa afër syrit. Asjëherë nuk e rekomandojmë kruarjen e syve pasi ajo mund të hapi edhe probleme të tjera, kompresat e ftohta ndihmojnë shumë. Mjekimet janë mjekime lokale në sy, kryesisht janë me pika, lot artificial dhe antialergjikë me pika. Mjekimet apo masat që ne mund të marrim nuk e zhdukin alergjinë, shpeshherë pacientët këtë e keqkuptojnë por në kontakt me alergenin ato simptoma mund të shfaqen prapë”, shtoi Topi.
Skuqje e syve, lotim i shtuar, kruarje e fortë janë vetëm disa nga simptomat më të zakonshme të alergjive në sy.





