Festivali Kombëtar i Shkencës mbylli siparin duke nxjerrë fitues nxënësit e shkollës së mesme “Zhani Ciko” në Patos, me një projekt të fokusuar te rëndësia e bletëve dhe ndërthurja e teknologjisë me natyrën.
Projekti u vlerësua për qasjen inovative dhe mesazhin e tij mbi qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Kryeministri Rama u ftua të dorëzojë çmimin e vendit të parë.
“Doja të thoja që shkolla “Zhani Ciko” është në Patos dhe Patosi është një qytet i vogël, por ky çmim i parë tregon atë çka kjo kohë e re e teknologjisë ka sjellë për të gjithë pavarësisht pozicionit të tyre gjeografik, pavarësisht nëse jetojnë në një shtet të madh apo të vogël, pavarësisht nëse jetojnë në një qendër apo në një periferi, mjafton dija, mjafton fuqia e ëndrrës dhe mjafton vullneti së bashku me një smartphone apo një kompjuter për të sunduar fatin edhe për të ndryshuar botën”, tha kryeministri Rama.
Finalja e Festivalit, u zhvillua ne Pallatin e Kongreseve me pjesëmarrjen e 300 gjimnazeve në mbarë Shqipërinë.
“Ju falenderoj që s’më keni hyrë mik, janë bërë punë vërtetë të mira”, tha ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.
Kjo nismë, e mbështetur nga Ministria e Arsimit, e shndërroi shkollën në një hapësirë që nxit krijimtarinë dhe inovacionin, duke inkurajuar të rinjtë të zbatojnë njohuritë në praktikë dhe në mënyrë të pavarur, si dhe të forcojë bashkëpunimin mes arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.





