Autoritetet amerikane kanë arrestuar një 31-vjeçar të dyshuar për të shtënat me armë në darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Sipas zyrtarëve amerikanë, ai dyshohet se kishte si objektiv zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë edhe Presidentin Donald Trump.
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se i dyshuari nuk po bashkëpunon me hetuesit. Ai besohet se ka udhëtuar nga Los Anxhelosi drejt Uashingtonit pak para ngjarjes.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ngjarja ka qenë një tentativë serioze sulmi ndaj presidentit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se situata u neutralizua shpejt nga Shërbimi Sekret, i cili evakuoi të pranishmit dhe siguroi zonën.
I dyshuari është identifikuar nga autoritetet si një 31-vjeçar nga zona e Los Anxhelosit, i cili punonte si mësues me kohë të pjesshme dhe kishte një profil akademik në fushën e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike. Sipas hetimeve paraprake, ai kishte blerë ligjërisht disa armë gjatë viteve të fundit, përfshirë një pushkë dhe një pistoletë.
Hetuesit thonë se ai arriti të hyjë në zonën e sigurisë së hotelit ku zhvillohej eventi, duke shmangur fillimisht kontrollet. Ai u ndalua nga forcat e sigurisë në vendngjarje dhe u dërgua më pas në spital për kontroll mjekësor.
Autoritetet federale po vijojnë hetimet për të përcaktuar motivet e plota të sulmit dhe nëse ai ka pasur bashkëpunëtorë. Nëse shpallet fajtor, i dyshuari përballet me dënime të rënda, përfshirë mundësinë e burgimit të përjetshëm.





