Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka kritikuar ashpër të ashtuquajturën betejë mes patriotizmit dhe ndërkombëtarizmit të nxitur nga Presidenti amerikan Donald Trump.

 

Duke i’u drejtuar liderve botërorë në asamblenë e përgjithshme të OKB,  Donald Tusk përdori një gjuhë të ashpër pë ata që sipas tij janë udhëheqës të rremë.

 

“Për të mbrojtur të vërtetën, nuk mjafton të akuzosh të tjerët se promovojnë lajme të rreme. Sot, shumë politikanë përdorin gënjeshtrat si një metodë të përhershme për të ruajtur pushtetin. Për të mbrojtur lirinë, nuk mjafton të flasim për të në fjalime. Ju duhet të mbroni të drejtat e një individi kudo dhe çdo ditë. Ju duhet të mbroni lirinë e fjalës dhe një shtyp të lirë. Dhe ju duhet të ndaloni së flirtuari me diktatorët dhe regjimet autoritare.”

 

Zyrtari i lartë i BE iu referuar rastit te Ukrainës dhe skandalit të fundit të presidentit Donald Trump i cili po hetohet se ka abuzuar me pushtetin.

 

“Nëse doni të ndiqni parimet e solidaritetit ndërkombëtar, gjithmonë duhet të ndihmoni më të dobëtit, nëse sulmohen nga më të fuqishmit dhe të pamëshirshmit. Si në rastin e Ukrainës, për shembull. Nëse të fuqishmit e botës sonë nuk e kuptojnë këtë, ata do të mbetëen në histori, jo si udhëheqës, por si udhëheqës të rremë. Dhe me të drejtë.”

 

Sa i takon ndryshimeve klimatike, Presidenti i Këshillit Europian theksoi se situata është për të ardhur keq në rang botëror dhe të gjithë duhet të veprojnë në këtë drejtim.

 

Përtej diskutimeve për klimën, në sesionin e 74 të Asamblesë Kombëtare, një vëmendje të vecantë morën tensionet me Iranin, situata në vendet në konflikt si dhe lufta ndaj terrorizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *