Subscribe

“The Soviet Story”,një film dokumentar që përmbledh fakte rrëqethëse mbi komunizmin, u prezantua sot për publikun në teatrin “Metropol”.

Krimet e Stalinit dhe Hitlerit, kampet, varret masive, terrori i strukturuar dhe e gjithë makineria e dhunës në Bashkimin Sovjetik, u shpërfaqën me të gjithë drithërimën e luftës që nuk e kursen njeriun.

Shfaqja e këtij dokumentari nga Instituti i studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit u bë me rastin e përvjetorit jubilar të gjenocidit të Holodomorit, në Ukrainë.

“Vdekja nga uria është një krim që kalon përtej logjikës njerëzore. Një kanibalizëm që populli i Ukrainës e ka përjetuar në vitet 1932-1933, kur rreth 7 milionë njerëz u shfarosën nga regjimi totalitar komunist. Ky gjenocid i tmerrshëm duhet të njihet nga të gjitha vendet. Ndërkohë ne ende jemi në luftë, prandaj kujtesa është e rëndësishme”, ka thënë ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

Duke diskutuar mbi efektet e krimeve të komunizmit në Europën Lindore, deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka theksoi rëndësinë për ndërhyrje në kurrikulat shkollore.

“2 ligje për dekomunistizimin që na vendosin përballë përgjegjësisë për të kujtuar, kanë dy vite që flenë në sirtaret e parlamentit. Ne duhet ta themi hapur, 50 vite ky popull ka përjetuar një ndër tragjeditë më të mëdha. Në emër të paqes duhet të kujtojmë luftën”, tha Açka.

Filmi dokumentar “The Soviet Story” trajton gjithashtu ngritjen e Bashkimit Sovjetik, marrëdhëniet midis tij dhe Gjermanisë para dhe pas vitit 1941, gjenocidin e Holodomorit, masakrën e Katinit, paktin Molotov – Ribentrop, transferimet e detyruara me dhunë të popullsisë drejt Siberisë dhe eksperimentet e shumta të kryera me njerëzit në Gulag. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *