Që prej 1 tetorit, në arsimin profesional është hapur shërbimi për transferimin e studimeve, duke u dhënë mundësi të gjithë nxënësve që ndjekin gjimnazin të kalojnë drejt drejtimeve profesionale.
“Ky shërbim u mundëson nxënësve që kanë zgjedhur fillimisht arsimin e përgjithshëm, të transferohen në profile profesionale që ofrojnë aftësi konkrete dhe perspektivë punësimi pas shkollës”, tha Klevis Hysa, drejtor i përgjithshëm i Agjensisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
Sipas të dhënave, vitet e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e interesit për arsimin profesional, sidomos në drejtime si Hoteleri-Turizëm, Elektroteknikë dhe Termo-hidraulikë, ndërsa për profile prioritare nuk mungojnë as bursat.
“Vërehet një rritje e dukshme e interesit jo vetëm nga djemtë, por edhe nga vajzat”, tha Hysa.
AKPA bën thirrje për të gjithë prindërit dhe nxënësit që të rishikojnë vendimet e tyre për shkollimin, duke përfituar nga mundësia e transferimit të studimeve. Ky proces mbetet i hapur deri në fund të vitit shkollor./vizionplus.tv





