Ndalesa e radhës e socialistëve të Tiranës ishte zona “Misto Mame”, në Kombinat, nga ku ka thënë se PS zgjodhi të bëjë koalicion me qytetarët dhe jo më me partitë e vogla.

 

“Çerekshekullin e kaluar është qeverisur gjithmonë me koalicion, ku disa parti mbajnë përgjegjësi, disa të tjera nuk mbajnë fare përgjegjësi, as për qeverisjen, as për punën që bëjnë ndaj publikut, ndaj qytetarëve, as për shërbimin, për asgjë.

 

Disa parti s’mbajnë përgjegjësi për çfarë ndodh. Janë vetëm parti që jetojnë për të qenë në pushtet. Parti që vijnë me atë që i rrjepin popullit, i blejnë votën dhe pastaj shkojnë prapë në qeveri për të vjedhur prapë. Kjo ka qenë historia e çerekshekullit në Shqipëri”, tha Tahiri.

 

“Sigurisht ne e kishim shumë të kollajtë të hynim në koalicion në zgjedhje. E kishim shumë të kollajtë të mblidheshim me disa parti të tjera, të hynim në zgjedhje bashkë me ato partitë dhe fitorja do ishte e sigurtë në qoftë se do ishte çështje pushteti. Për ne nuk është çështje pushteti kjo histori.

 

Dhe kjo është arsyeja pse ne kandidojmë pa asnjë parti tjetër në koalicion. Kjo është arsyeja pse ne duam të fitojmë me ju. Kjo është arsyeja pse ne duam të qeverisim vetëm me njerëzit, jo me partitë”, tha kreu i PS-së Tiranë.

 

Tahiri veçoi reformën në drejtësi, ku është provuar dhe testuar aleanca e PS-së me qytetarët, përballë gjithë të tjerëve që nuk e donin reformën. Ai iu rikthye një vendimi në gjyqësor kur u përball si ish-ministër i Brendshëm, për të theksuar degradimin e drejtësisë.

 

“Kam pasur një rast, e mbaj mend, në Kavajë, jam marrë edhe publikisht pastaj,sesi një gjyqtar nxori përdhunuesin e një vajze 9-vjeçare, e nxori nga burgu që në ditën një, që në ditën e parë.

 

Unë edhe si prind, por edhe si qytetar, pastaj si ministër sigurisht, as mund ta imagjinoja se mund të ndodhte që një palaço, një kriminel që përdhunonte një vajzë 9-vjeçare mund të dilte i lirë, pa bërë një ditë burg. Pse?! Se gjyqtari mori disa lekë.

 

Se drejtësia nuk bëri drejtësinë. Pse gjyqtari nuk bëri drejtësinë. Dhe ne i dhamë fund kësaj historie. Ne i dhamë fund kësaj historie që, besoj e fituam kundër të gjithëve. Kundër të gjithëve parti e partiçka duke pasur me vete vetëm njerëzit”, nënvizoi Tahiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *