Divorcet në shoqërinë shqiptare janë shtuar vitet e fundit dhe arsyet për këtë janë të shumta.

Lidhur me këtë çështje në emisionin “7pa5” në Vizion Plus kanë qenë të ftuar avokatja Anxhela Lami dhe sociologu Edmond Dragot.

Avokatja tha se divorcet janë shtuar edhe në moshat e mëdha, duke filluar nga 60 vjeç e më tej.

“Kemi një shtim të numrit dhe të moshave më të mëdha, që kanë më shumë se dy dekada. Unë kam edhe klientë edhe të moshave 60 vjeç që shkojnë drejt këtij hapi”, tha ajo.

Ndërkohë, sociologu tha se divorci varet nga arsyet që është krijuar lidhja.

Ai tha se sot divorcet janë më të favorizuara, pasi shihen si një problem personal dhe jo një ngjarje shoqërore.

“Fundi i një marrëdhënieje varet edhe nga fillimi i saj, sa shkaqe të forta ke për t’u lidhur. Divorci kryesisht ëhstë në varësi të faktit se si është krijuar lidhja. Koha e sotme ka disa kushte specifike në krahasim me më parë. Është ana ekonomike që është shumë e rëndëisshme. Ana emocionale i lidh shumë shpejt dy njerëz dhe i ndan po aq shpejt. Sot divorcet janë më të favorizuara se më parë dhe për faktin se individi varet më pak sot nga njerëzit përreth dhe nuk ka rëndësi si reagon komuniteti për individin. Divorci është gjithnjë e më shumë një ngjarje personale se një ngjarje shoqërore. Divorci nuk është më ai problem i madh social, është kryesisht një problem personal. Një shoqëri me familje solide reagon më shpejt ndaj situatave.

Është një moshë që po shkon dhe për këtë arsye ndjeshmëria ndaj partnerit që ke është e madhe. Ti kërkon të realizosh veten me dikë që të vlerëson realisht. Dëshira për të realizuar veten të bën të dallosh tradhtinë e partnerit. Është një moshë delicate dhe janë shtuar divorcet në mosha mbas të 60-ave jo aq nga tradhtia sa nga ekonomia, si ndarja e pronës. Ndarja e pronës krijon një pakënaqësi në marrëdhënie”, tha Dragoti.

Ndërkohë, Lami tha se një nga arsyet e rralla për divorc në rastet që ka ndjekur, ka qenë për shkak të sëmundjes së partnerit.

“Arsyet absurde janë shumë të rralla. Një arsyeje që unë do ta quaja arsye që mund të rimendohej, dua të përmend një rast konkret, ka qenë një arsye që bashkëshorti ishte me hepatit dhe linte dyshim për tradhti, por nuk ishte tradhti e vërtetuar”, tha ajo. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *