SPAK dërgon për gjykim 17 persona për trafik ndërkombëtar droge, u sekuestruan mbi 2.4 ton marijuanë dhe 475 kg kokainë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 17 të pandehur, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka trafikuar drogë nga Shqipëria dhe Ekuadori drejt disa vendeve evropiane, Turqisë dhe Malit të Zi. Në tre episode të dokumentuara nga autoritetet janë sekuestruar 1.722 kilogramë marijuanë në Mal të Zi, rreth 236 kilogramë marijuanë në Turqi dhe 475 kilogramë kokainë në Holandë.
Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar veprimtarinë kriminale përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të bashkëpunimit dhe ndihmës së ndërsjellë juridike.
SPAK dyshon se aktiviteti përfshinte trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria dhe vende të Amerikës Latine, veçanërisht Ekuadori, drejt Malit të Zi, Gjermanisë, Turqisë dhe Holandës.
Tre episodet e trafikimit të drogës
Në kuadër të hetimeve janë dokumentuar tre episode kryesore:
3 nëntor 2020: Autoritetet malazeze sekuestruan 1.722 kilogramë marijuanë, e cila ishte nisur nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.
23 nëntor 2020: Autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë, të dërguar nga Ekuadori në portin e Vlissingenit, në Holandë.
26 janar 2021: Autoritetet turke sekuestruan rreth 236 kilogramë marijuanë, të nisur nga Shqipëria me destinacion Turqinë.
Në total, në këto tre episode janë sekuestruar rreth 1.958 kilogramë marijuanë dhe 475 kilogramë kokainë.
Kush dyshohet se drejtonte aktivitetin?
Sipas përfundimeve të hetimit, Emiljan Burba, Rexhep Rraja dhe Ervis Shuli dyshohet se kishin rolin e drejtuesve dhe financuesve të veprimtarisë kriminale, ndërsa personat e tjerë të pandehur dyshohet se kishin role pjesëmarrëse.
Të tre akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për drejtimin e një grupi të tillë.
Mes 17 të pandehurve janë edhe Bujar Sefa, alias Xaka, alias Lala, Marvin Bushati, Jani Çavo, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Sokol Qaja, Aldo Gjini, Bledar Cafi, Endrit Dokle, Zamir Aliaj, Islam Sefa, Hajdar Sefa, Vidjan Baroka dhe Agim Nina, i njohur edhe si Lorenc Selmani.
Për Marvin Bushatin rëndon gjithashtu akuza për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, pasi gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal, më 10 dhjetor 2025, në banesën e tij u sekuestruan armë dhe municion.
SPAK njofton se, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe vijimin e hetimeve pasurore, ka veçuar një pjesë të akteve të procedimit fillestar dhe ka regjistruar procedimin e ri penal nr. 9/1 të vitit 2026.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Gjermani, Francë, Holandë, Belgjikë, Mal të Zi, Turqi dhe Ekuador, si dhe me Eurojust, Europol, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
SPAK thekson se çdo person prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.




