Debati i sotëm në parlamentin e Kosovës përfundoi me tensione që u përshkallëzuan deri në përplasje fizike. Shkak u bënë komentet rreth Gjykatës së Posaçme për krime lufte, me seli në Hagë, ndonëse kjo çështje nuk ishte në rend dite.

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u përgjigj për kërkesat drejtuar asaj ditëve të fundit për dorëheqje, lidhur me deklarimet e mëhershme për çështjen e vrasjeve të pazbardhura të periudhës së pasluftës në Kosovë.

 

DONIKA GERVALLA

MINISTRE E JASHTME, KOSOVE

“Kjo Gjykatë Speciale në Hagë nuk është e instaluar nga Serbia, Gjykata Speciale në Hagë është instaluar nga ju. Pse është instaluar nga ju? Sepse ju jo vetëm që nuk i keni luftuar, nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pasluftës. Jo vetëm që asgjë nuk keni ndërmarr për gjykimin dhe dënimin e krimeve pasluftës por ju jeni munduar ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale”.

 

Kjo deklaratë është pasuar me reagime të ashpra nga radhët e opozitës.

 

ABELARD TAHIRI

SHEFI I GRUPIT PARLAMENTAR, PDK

 “Është turp për ty, është marre për ty. Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë. Ti nuk më përfaqëson mu, ti je turpi më i madh. Sot nëse do të kishim një kryeministër përgjegjës, sot duhet me të shkarku, as edhe një minutë ti nuk duhesh të jesh ministre e jashtme. Ky është turpi më i madh që ndodh me këtë vend, prandaj i bëjmë thirrje kryeministrit që ti nuk mundesh të qëndrosh në këtë sallë, ti duhet me ec, ti nuk e përfaqëson qytetarin e Kosovës”.

Ndërsa deputeti demokrat, Bekim Haxhiu, i kërkoi ministres Gërvalla të tregojë nëse është dëshmitare në Gjykatën e Posaçme.

 

BEKIM HAXHIU

DEPUTET, PDK

“E kam thënë edhe në të kaluarën ka pas deputetë të Vetëvendosjes që kanë pagu dhe financu raporte kundër UÇK-së dhe tash po del edhe ministrja haptazi me atë narracion, jep dorëheqje nëse se ke atë guxim. E ftoj Albin Kurtin që të të shkarkojë sepse je turp për përfaqësimin tone”.

 

Gjykata e Posaçme u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës, ndërsa themelimi i saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Europës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

 

Ish udhëheqësit  e UCK Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi që u arrestuan në nëntor të vitit të shkuar, ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *