SKANDAL NË MILANO! Vandalizohet sërish murali i legjendës Franco Baresi

Një tjetër akt vandalizmi ka dëmtuar muralin kushtuar legjendës së Milanit dhe të kombëtares italiane, Franco Baresi, duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv italian.
Ngjarja është bërë publike nga gazetari i njohur Carlo Pellegatti, i cili ka denoncuar përmes rrjeteve sociale dëmtimin e veprës artistike të vendosur përballë selisë zyrtare të klubit kuqezi.
Sipas pamjeve të publikuara, persona ende të paidentifikuar kanë përdorur bojë të zezë për të mbuluar disa prej elementeve më domethënëse të muralit, përfshirë trofeun e Ligës së Kampionëve, shiritin e kapitenit dhe logon e Milanit.
Pellegatti e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm ndaj një figure që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit italian.
Ky nuk është rasti i parë që murali përballet me dëmtime. Vetëm pak javë më parë, artisti Luca Rosada, i njohur me emrin “Lucas Street Art”, kishte ndërhyrë për ta restauruar veprën pas një sulmi të mëparshëm.
Pas incidentit të fundit, vetë artisti ka bërë të ditur se do të rikthehet për ta riparuar sërish muralin, duke shprehur respektin e tij për Franco Baresin dhe trashëgiminë që ish-kapiteni ka lënë te Milani.
Pavarësisht akteve të përsëritura të vandalizmit, artisti synon ta rikthejë veprën në gjendjen e saj origjinale, si një homazh për një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e kuqezinjve.




